Kthehu tek lista

MTI dhe Zyra e BE-së në Kosovë prezantojnë projektin që mbështet reformën e sektorit të shërbimeve në Kosovë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe projekti i binjakëzimit i financuar nga Bashkimi Evropian “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – Direktiva e Shërbimeve e BE 2006/123/EC” zyrtarisht organizuan ngjarjen lansuese të projektit me 25 Janar 2021 në mënyrë virtuale duke i respektuar masat aktuale anti-covid.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe projekti i binjakëzimit i financuar nga Bashkimi Evropian “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – Direktiva e Shërbimeve e BE 2006/123/EC” zyrtarisht organizuan ngjarjen lansuese të projektit me 25 Janar 2021 në mënyrë virtuale duke i respektuar masat aktuale anti-covid.
Kjo ngjarje u nderua me prezencën e ambasadorëve të Kroacisë dhe Gjermanisë në Kosovë, Përfaqësuesit të Posaçëm të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesit e projektit të binjakëzimit nga të dy shtetet anëtare, homologët e tyre nga vendi përfitues të cilët ishin folësit e këtij eventi si dhe Zv/Sekretarja e Përgjithshme e MTI-së, Departamenti i Tregtisë dhe Departamenti Ligjor i MTI-së.
Qëllimi i ngjarjes lansuese ishte të informoheshin institucionet, komuniteti i bizneseve dhe shoqatat dhe poashtu palët e tjera të interesit duke përfshirë publikun e gjerë lidhur me synimet dhe rezultatet e pritshme të projektit i cili do të zbatohet gjatë dy viteve të ardhshme.
Kosova së fundmi ka shënuar progres në fushën e digjitalizimit të tregtisë në shërbime ku është krijuar baza e të dhënave “Pika e Kontaktit për Shërbime” e cila mundëson lehtësimin e qasjes për të gjitha palët e interesit në kornizën ligjore që rregullon aktivitetet e shërbimeve në Kosovë, pra duke i ndihmuar të operojnë ata që tanimë janë të pranishëm në treg si dhe ata që dëshirojnë të fillojnë të ofrojnë shërbime në Kosovë.
Është theksuar se bashkëpunimi i dyanshëm në projektin e binjakëzimit “Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – Direktiva e Shërbimeve e BE 2006/123/EC” mund të ketë tutje ndikim pozitiv sa i përket zhvillimit të reformës së sektorit të shërbimeve në Kosovë.
Me përafrimin e plotë të legjislacionit vendor me Direktivën e Shërbimeve, mund të hiqen shumë lloje të pengesave administrative dhe rregullative për lirinë e ofrimit të shërbimeve.
Harmonizimi i rregulloreve sektoriale me Direktivën e Shërbimeve inkurajon thjeshtësimin dhe digjitalizimin e procedurave administrative në mënyrë që të thjeshtësojë procesin e licencimit për aktivitetet specifike në sektorin e shërbimeve dhe ofrimin e të gjitha informatave në një vend.
Prandaj, fokusi i këtij bashkëpunimi ndërmjet BE, Republikës së Kroacisë, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës është të zhvillojë një udhërrëfyes të Pikës së Vetme të Kontaktit (PVK) moderne dhe lehtë të përdorueshme për bizneset bazuar në kornizën e vendosur rregullative në përputhje me dispozitat e Direktivës së Shërbimeve të BE 2006/123/EC e cila ka për qëllim fuqizimin e ekonomisë së Kosovës dhe të sigurojë progresin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Gjatë dy viteve të ardhshme, projekti i financuar nga BE do të mbështesë Qeverinë e Kosovës të zhvillojë tutje kapacitetet e saj institucionale për të krijuar bazën për një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit privat në përputhje me trashëgiminë ligjore të BE dhe kërkesat e MSA.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti, i cili do të zbatohet nga konzorciumi i institucioneve relevante partnere nga Kroacia dhe Gjermania dhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është të përkrahë tutje integrimin e Kosovës në ekonominë botërore dhe të fuqizojë rolin e administratës së Kosovës në qeverisjen ekonomike përmes funksioneve efektive rregullative në përputhje me obligimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Projekti i binjakëzimit do të mbështesë tutje zhvillimin e ekonomisë së Kosovës duke i zvogëluar ngarkesat administrative, duke vendosur një kornizë ligjore më të qartë dhe duke ofruar qasjen më të lehtë të informimit mbi rregulloret e sektorit të shërbimeve përmes Pikës së Vetme të Kontaktit.
Për më shumë, rezultatet e cekura të projektit te binjakëzimit do të kenë efekte pozitive në qasjen më të lehtë në treg për bizneset duke rritur konkurrencën e ndërmarrësve përmes dinamizmit në treg, madje duke rritur inovacionin dhe ofruar më shumë mundësi si dhe zgjedhje për konsumatorët.