Kthehu tek lista

MTI lansoi data-bazën për Tregtinë në Shërbime

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë/Departamenti i Tregtisë, me mbështetjen e projektit të financuar nga BE dhe qeverisë gjermane nëpërmjet GIZ

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë/Departamenti i Tregtisë, me mbështetjen e projektit të financuar nga BE dhe qeverisë gjermane nëpërmjet GIZ, ka lansuar data-bazën për tregtinë në shërbime, ku të pranishëm ishin ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi; Zëvendësuesja e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Gentiana Islamaj; Zv/shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ricardo Serri; Zv/Ambasadori Gjerman Jan-Axel Voss; udhëheqësi i projektit që mbështet procesin e Integrimit në BE në kuadër të GIZ-Kosova, Mark Barret dhe udhëheqësi i projektit të BE-së për Tregti, Luis Abugattas.
Me këtë rast, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi tha se sektori i shërbimeve është segmenti më i rëndësishëm që kontribuon në punësim. “Sektori i shërbimeve është segmenti më i madh i ekonomisë së Kosovës dhe forca shtytëse, që kontribuon në pjesën më të madhe, në vlerën e shtuar, në punësim dhe në tregtinë vendore, kështu që veprimtaritë e shërbimeve kanë mbuluar 74 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2019 dhe ka punësuar 85 për qind të forcës së përgjithshme të punëtorëve në Kosovë. Gjithashtu eksporti i tregtisë në shërbime për vitin 2019 ka arritur vlerën 1.6 miliard euro.”, theksoi ministri Krasniqi.

Ai potencoi se qëllimi kryesor i kësaj baze të të dhënave është të lehtësojë qasjen për të gjitha palët e interesit në kornizën ligjore, që rregullojnë aktivitetet e shërbimeve në Kosovë, duke ndihmuar kështu në operimin e atyre që tanimë janë në treg dhe të atyre sipërmarrësve që duan të fillojnë të ofrojnë shërbime në Kosovë.

Duke e vlerësuar platformën elektronike për tregti në shërbime, ministri Krasniqi tha se kjo platformë është vetëm një hap i suksesshëm drejt themelimit të Pikës së vetme të kontaktit, në bazë të Direktivës së Shërbimeve të Komisionit Evropian dhe Ligjit të Shërbimeve.

Ricardo Serri, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë theksoi se është mirë që në këtë projekt të punohet bashkë, pasi është pjesë e partneritetit në mes tyre.

“Kemi prekur disa prej çështjeve kryesore, të cilat edhe unë do të doja t’i përsëris dhe t’i theksoj në këtë ditë të rëndësishme për ne, sepse është dita që lansohet ky projekt, Pika Kontaktit për Shërbime”, tha Serri duke shtuar se kjo është diçka për të cilën është mirë të punojmë në këtë projekt së bashku me partnerët tjerë.

Ndërsa, Mark Barret, udhëheqës i projektit që mbështet procesin e Integrimit në BE në kuadër të GIZ-Kosova, tha se përmes këtij projekti dëshmohet se zbatimi i MSA-së është shumë praktik dhe rrugë e sigurt drejt integrimit në BE.

“Edhe në këto rrethana të pandemisë ja kemi dal që të përfshihemi në disa aktivitete që kanë të bëjnë me procesin e integrimit. Mendoj se zhvillimi i kësaj pike tregon se si procesi i integrimit me MSA është shumë praktik”, ka thënë Barret. Ai ka shtuar se ka shumë diskutime dhe ajo që zbatohet nëpërmjet këtij procesi bëhet shumë reale dhe ka të bëjë me përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe se është diçka që ndihmon në rrugëtimin e Kosovës përpara. Sipas z. Barret, krijimi i kësaj pike kontaktuese është hapi i parë drejt integrimit. Ai falënderoi MTI/DT për proaktivitetin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm të këtij procesi kur kihet parasysh fakti që ka qenë më shumë së një donator.

Dhe, krejt në fund u bë prezantimi i platformës elektronike para të pranishmëve nga Shqipe Jashari Sekiraqa – udhëheqëse e Divizionit për Marrëveshje Tregtare në Departmentin e Tregtisë.